Sunday, April 22, 2007

SERJAN XHEVITI SIMBOL I QENDRES ANTIKOMUNISTE
Merre sharkun xha Serjan, - i thotë polici. - E ç’e dua unë prapë këtu do vij, ia kthen i burgosuri.
Ky dialog u zhvillua në një nga burgosjet e përsëritura të Serjan Xhevit Ahmetit gjatë regjimit komunist. Serjan Xheviti u lind në Lazarat me 1901, në një familje që i mëkonte dashuri për vendlindjen. Nënua e tij rrojti 99 vjeç e porosiste “për vendin vra e pre, e mos lësho kurrë, se edhe të të vajtoj nëna ka lezet, por për të huajin mos derdh gjak se të rrita me hidhra e lëpjeta”. Shkollën fillore e kreu në Mejtepin e fshatit që u hap në vitin 1908 nga atdhetari Hasaf Voshtina. Mësuesi i tij i hershëm u bë dervish Mehmet Kruja i dalë ilegalisht nga burgu i Janinës. Pas daljes nga burgu ishte në besë të Lazaratit në familjet Gërveshi dhe Ahmeti. Ky Dervish patriot ishte burgosur në 1905 nga pushtuesi turk sepse përhapte libra shqip. Dervishi e mësonte dhe e këshillonte duke i ushqyer respekt e dashuri, “rezistoi të fortit kur ke të drejtën e zotit”, fale të dobtin kur të bën keq se tregohe fisnik”, etj.


Në moshën 19 vjeç mori pjesë në luftën e Vlorës, në 1924 si gjithë lazaratasit përkrahu qeverinë e Nolit. Gjatë pushtetit të Zogut, xha Serjani bashkë me vëllezërit e tij punoi me blegtori duke rritur ekonominë e familjes. Në luftën e dytë botërore ai u rreshtua në anën e Ballit Kombëtar, por krenar dhe atdhedashës nuk duronte dot ata që bashkëpunonin me fashizmin. Ndaj në tetor 1943 qëlloi me armë në Qafën e Pazarit Idriz Jazon, komandant i forcave kuislinge në Gjirokastër, sepse kishte shpifur për Lazaratin. Bashkë me fshatarë të tjerë shoqëroi në Shkodër Dervish Rexhepin në fundin e luftës, një nga kundërshtarët e hapur të regjimit komunist (Baba Rexhepi –Nder i Kombit). Për hir të bindjeve të tij u burgos disa herë në sistemin komunist. Në burgje ishte shpirti i rezistencës. Madje për këtë karakter e qëndresë një ditë në qeli, bashkëvuajtësi i madhi Pr. Dr. Eqerem Çabej i thotë: “Serjan, lut Zotit që të la pa shkollë se me këtë kokë që ke t’i shtatë pash ndën dhe do të të kishin futur”. Midis të tjerave ai tregonte ngjarje ku vinte në lojë edhe të burgosur të tjerë dikur komunistë.
– Kam bërë gallatë me komunistët e burgosur si Bedri Spahiun, Gjin Markun, Halim Xhelon, etj., pa le më betoheshin se s’kishin luftuar për kolltukun e Enverit dhe të Mehmetit. Kur do të dilja nga burgu me ish gjeneralin Halim Xhelo më dha 100 lek dhe me tha t’ia jepje Xhemos Boces t’i blinte qiri dhe t’i ndizte te dylbeja e Baba Zenelit për Halimin. Jo more i thashë, ç’është Xhemua shoqja jote? Ajo është muhipe e Baba Selimit dhe është zonjë. Ti je besnik i Baba Stalinit merri qirinjtë dhe ndizi te monumenti i tij në qendër të Tiranës.
Një nipit të tij i thoshte: dëgjo kapedan i dajkos! E do të vërtetën? Lexo, “Zërin e Popullit” ktheje me kokë poshtë ta gjesh – Enveri është mbret e shkuar mbretit, por nuk ka kurorë, ka në kokë borselinë. Tani erdhi koha që tha Dervish Rexhepi që në fund këta do vrasin shoqi shoqin, dhe i fundit do t’ja heqë vetes. Dëgjova që Beqir Ballukun e futën brenda, njëherë më erdhi në burg dhe më tha: - Ballist ti nga Lazarati. – Po, i thashë. - Në Lazarat edhe pulat janë balliste. - Pse ç’të kemi bërë zotrote? Mbylli derën me fort dhe u largua. Filluan këta të karvanisen tani dhe qeshte i gëzuar. Ju do të rroni dhe do të shikoni se për mua u err.
Mësuesi Sali Rabi kujton një episod që tregon për bindjet e tij: Ishim para murit të shkallët e komunës. Xha Serjani ishte duke lexuar gazetën “Zëri i Popullit”, faqen e katërt që kishte lajme nga bota. Lexonte pa syze. Megjithëse ishte i madh në moshë. Kjo gjë më bëri përshtypje dhe e pyeta – Xha Serjan lexon mirë pa syze?
-Lexoj mirë dhe shoh akoma më mirë, jo vetëm afër po edhe larg. Hodhi sytë përballë, në atë kohë aty ndodhej kioska e berberit. Mbi dërrasën e saj ishte shkruar shkurt PPSH. Ai vazhdoi; -Do të të lexoj edhe atë që shkruhet atje?
-Po, i thashë, pa ndonjë qëllim.
-Poshtë! Poshtë! Poshtë!- tha me zë të lartë.
U gjenda ngushtë, e vetmja gjë që mund të bëja ishte të largohesha duke shpresuar se këtë dialog nuk e dëgjoi njeri, pasi për aq gjë, mund të hyje në telashe.
Xha Serjani siç e thërrisnin të gjithë mbylli sytë më 24 nëntor 1975 në shtëpinë e tij i nderuar dhe i respektuar nga çdo lazaratas e bashkëvuajtës i tij. Ai ishte simboli i qëndresës së hapur atdhetare kundër komunizmit, njw dizident i vwrtetw.
Hito Brahimi
Zija Basha